(Mendim për tejkalimin e gjendjes së rëndë politike, ekonomike, sociale, kombëtare e kulturore)
Xhevat Bislimi *
Hyrje për zgjidhjen ideale
Mbajeni
mend, lexuesë të nderuar, po shkruaj dhe po jap mendim për një zgjidhje ideale
që është pak reale e më shumë utopike në Republikën shqiptare të Kosovës. Se
Kosova e çliruar (aq sa u çlirua...) me përpjekjen, mundin, luftën dhe flijimet
gati një shekullore (e kam fjalën për periudhën pas Shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë...) nuk po ecte në rrugën e shkëputjes së plotë nga Serbia e
kuptonin pak shqiptarë, sepse entuziazmi mbarëshqiptar, që shkaktoi dëbimi i
forcave dhe i administratës pushtuese nga Kosova, ishte aq i madh sa nuk na
lejonte ta shihnim, ta lexonim dhe ta kuptonim drejt projektin e Fuqive të Mëdha
për të ardhmen e kësaj krahine të Shqipërisë-Kosovën. Kjo gjendje “syleshe”
edhe mund t’u falejë shqiptarëve të robëruar, pa klasë politike dhe pa
inteligjenci të mirëfilltë kombëtare (me elita kombëtare ende në formim). Mirëpo,
kjo “syleshësi” nuk mund t’i falet Tiranës zyrtare, e cila nuk ia doli të
ngritej në shkallën e detyrës që
kërkonte koha për shkëputjen e plotë të kësaj krahine të saj nga Serbia (për
shkak edhe të gjendjes së rëndë brenda shtetit gati të rrënuar...)! Vetëm pas
pesë vitesh, në vitin 2004, shqiptarët u “zgjuan” nga ekstaza e gjatë që solli
çlirimi dhe e kuptuan se Kosova po rrëshqiste dhe po rrezikonte të rikthehej në
prehrin e Serbisë! Ky ndërgjegjësim i rrufeshëm shkaktoi edhe pakënaqësi të
rrufeshme-uragan (ngjarjet e marsit...), që tronditën komoditetin e klasës së
re dhe të asaj të vjetër (jugo!) politike. Tronditja nuk ishte më e vogël as për
praninë ndërkombëtare dhe për qendrat e vendosjes. Falë këtyre ngjarjeve
mbarëpopullore-shqiptare bota (Fuqitë e Mëdha), nën ndikimin dhe me këmbënguljen
sidomos të SHBA-ve, u hapën bisedimet për statusin e Kosovës. Me bisedimet e
Vjenës dhe me Planin e Ahtisarit Kosova do të Shpallte pavarësinë, por nuk do të
mund të bëhej shtet plotësisht i pavarur nga Serbia, sepse heqja dorë nga
bashkimi i kësaj krahine të Shqipërisë me shtetin shqiptar nuk ishte veç e
“dhimbshme”, por edhe tepër e dëmshme për pavarësimin-shkëputjen e plotë nga
Serbia. Statusi i pakicës serbe dhe i Kishës ortodokse, instrumente të Serbisë,
do ta mbanin peng dhe të kushtëzuar pavarësinë, lirinë dhe sovranitetin e
Republikës së Kosovës! Plani i Ahtisarit dhe pranimi i tij nga Grupi negociator
i Kosovës “e linin të hapur derën”, siç po thotë edhe analisti i njohur, Daniel
Serveri, për trysni dhe lëshime të reja në dëm të shtetit të sapo shpallur!
Mirëpo, edhe kësaj radhe, njësoj si pas
mbarimit të luftës, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës (në “stilin” e Ismail
Qemalit...!!) dhe gëzimi-festa që mbretëroi kudo ku kishte shqiptarë la nën
hije “hijet” që hijezonin (kushtëzonin pa afat...) Pavarësinë e Kosovës!
Republika e re shqiptare e Kosovës e qeverisur keq nga një klasë e
papërgjegjshme kombëtarisht e me shumë kusilingë e bashkëpunëtorë të Serbisë, e
korruptuar dhe e akuzuar rëndë (disa drejtuesë politikë dhe komandantë të UÇK-së)
nga qendra të ndryshme ndërkombëtare (akuza të përgatitura nga Beogradi
neofashist) u shantazhua dhe u gjunjëzua edhe njëherë në bisedimet e reja me
Serbinë në Bruksel dhe me miratimin e Gjykatës Speciale!! Publikimi i këtyre
marrëveshjeve (ri)tronditi Kosovën shqiptare dhe një pjesë të politikës
(opozitën), shoqërinë civile (popullin) dhe inteligjencien shqiptare. Por, edhe
kësaj here, siç thotë populli ynë i mirë, “kur erdhën mentë shkuan dhentë”!
Zgjidhja ideale
Gjendja
në Republikën e Kosovës është më e qartë se kurrë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve
të Brukselit me Serbinë dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufirin me
Malin e Zi. Prandaj nuk po ndalem shumë në shpjegime “plotësuese”, por po jap
mendimin tim për një zgjidhje ideale e pak reale. Ideale, sepse me këtë klasë
politike që ka kapur segmentet kryesore te politikës, të ekonomisë dhe të
institucioneve është gati e pamundshme, ndërsa është pak reale, sepse po të
kishte dëshirë, vullnet dhe vetëdije kombëtare e qytetare te kjo klasë politike
në formim, edhe mund të realizohejë. Zgjidhja ideale që do ta shpëtonte
Republikën shqiptare të Kosovës nga rrokullisja (shkërmoqja) e mëtejme është në
dorën e partive-subjekteve politike që rrënjët i kanë në angazhimin,
përpjekjen, luftën dhe flijimin për lirinë-çlirimin e Kosovës dhe të viseve të
saj jo vetëm në luftën e fundit, por të paktën që nga koha kur u (ri)copëtua
Shqipëria në vitin 1912. Bashkimi politik në një front i partive-subjekteve
politike, PDK-LVV-AAK-NISMA, do ta nxirrte vendin nga ky kurth i madh i
marrëveshjeve të Brukselit dhe do të hapte perspektivë të shkëputjes së plotë të
Kosovës nga Serbia (çështje mbi çështjet tjera...). Ky bashkim-front, përveç të
mirës politike e kombëtare, do të ishte zgjidhje edhe për një konsolidim të
shpejtë të institucioneve dhe të sistemit politik përgjithësisht. Bashkimi i
forcave politike me rrënjë të përbashkët do të rikthente shpresën e vrarë të
këtij populli dhe do t’i “çlironte” energjitë e ndrydhura intelektuale,
krijuese, zhvillimore e ndërtuese. Po të bashkoheshin këto forca efekti i menjëhershëm
do të ishte krijimi i Qeverisë së përkohshme (teknike) për përgatitjen e
zgjedhjeve të përgjithshme në vend. E
mirë dhe interes i domosdoshëm shtetëror e kombëtar për këtë vend do të ishte
edhe largimi i LDK-së nga pushteti në të gjitha nivelet dhe nga pozita të rëndësishme
publike. Rrënjët e LDK-së, eksponentëve të saj të gjallë e të vdekur, ishin, për
shkaqe dhe arsye historike, politike, shoqërore e ekonomike, në Jugoserbinë
pushtuese! Prejardhja dhe lidhshmëria e ngushtë ideologjike, politike dhe
kolaboracioniste e LDK-së, sidomos e eksponentëve të saj të sotëm e të djeshëm,
është dhe do të mbetet problematike për shoqërinë tonë edhe për një kohë. E
kaluara e kësaj force politike dhe rrënjët e saj te qytetarët tanë dhe te të
huajt asocojnë në bashkëjetesën (“vëllazërim-bashkimin), ideologjinë, kulturën,
mendsin dhe pushtimin e tipit titisto-rankoviçist. Duke larguar LDK-në nga
qeverisja dhe nga pozita të rëndësishme publike, si dhe të tjerët që nuk janë
formalisht anëtarë të saj, por që janë brum i njëjtë, kuptohet me zgjedhje dhe
me votë, i jepet porosi e qartë Serbisë dhe miqve të saj se Kosova është
shqiptare dhe përgjithmonë e pavarur dhe e shkëputur nga Serbia neofashiste e
milosheviçve dhe nikoliçve të sotëm e të nesërm. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të
duhej të interpretohej dhe kuptohej si “hakmarrje” ose “diferencim”, por si një
masë e domosdoshme për ta shkëputur Kosovën tërësisht nga Serbia dhe për ta
zhvilluar e fuqizuar deri në bashkimin e saj të natyrshëm me trungun e saj.
Edhe bashkimi i forcave politike me rrënjë të përbashkët nuk duhet të kuptohet
dhe as të shpjegohet si bashkim kundër dikujt, por si një nevojë imediate, si
domosdoshmëri për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje e padëshiruar nga askush
dhe si bashkim për të sotmen dhe të ardhmen e sigurt dhe paqësore të Kosovës
dhe të kombit shqiptar në rajon. Madje ky BASHKIM do të ishte e mira e të
gjitha palëve të interesuara për Kosovën. Ky BASHKIM do t’i ekuilibronte forcat
jo vetëm brenda kombit tonë, por edhe në rajon.
Ndërtimi,
zhvillimi dhe fuqizimi i një shteti të Kosovës me pavarësi dhe sovranitet të
plotë është interes edhe i LDK-së dhe i anëtarësisë dhe zgjedhësve të saj
shqiptarë. Qëndrimi i LDK-së në “opozitë” për disa vite (së paku pesëmbëdhjetë
vite) dhe largimi i eksponentëve të rinj e të vjetër me botëkuptime dhe
ideologji titiste (me shkollën e Titos) e kozmopolite (vetëpastrimi) do të
ishte interes i kësaj partie politike dhe i Kosovës shqiptare. Gjithmonë sipas
meje, ky do të ishte kontributi dhe sakrifica e parë e LDK-së për lirinë, pavarësinë,
demokracinë dhe shtetin e Kosovës.
Bashkimin
PDK-LVV-AAK-NISMA në një front, subjekte me rrënjë të përbashkët, mund ta
pengonin, përveç Serbisë dhe miqve të saj, vetëm disa figura me interesa të
ndryshme nga interesat e vendit dhe të kapur nga bëmat e tyre “patriotike” gjatë
këtyre viteve... Ç’është e vërteta, po të kishin forcë mendore dhe shpirtërore
për ta perceptuar dhe kuptuar drejt gjendjen e sotme dhe të ardhmen
problematike të Kosovës, edhe ata do të nxirrnin përfundimin se ky BASHKIM do të
ishte edhe shpëtimi i tyre. Të paktën nuk do të përfundonin në koshin e
plehrave, siç kanë përfunduar e do të përfundojnë disa bashkëkombës tanë.
Prandaj, po të ndodhte “mrekullia”-bashkimi, Kosova e Re do të stabilizohej me
shpejtësi dhe forcat destabilizuese brenda dhe jashtë Kosovës do të strukeshin
e do të minimizoheshin (interesi i parë). Plani i Ahtisarit dhe marrëveshjet e
Brukselit do të zbatoheshin konform interesave shtetërore e kombëtare dhe
dalngadal do t’u “përshtateshin” kërkesave dhe interesave të kohës... (interesi
i dytë). Stabilizimi i Republikës së Kosovës do të stabilizonte edhe rajonin e
Ilirisë (Ballkanit) dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare (interesi i tretë).
Rajoni i stabilizuar do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm për stabilitetin
dhe paqen në Evropë e më gjerë (interesi i katërtë). Këto janë vetëm disa arsye
themelore pse ky BASHKIM do të mirëpritej edhe nga prania ndërkombëtare (e cila
nuk do të kishte punë më në Kosovë e rajon në këtë format që është): nga SHBA-të,
nga BE-ja dhe nga qendrat tjera të vendosjes në botë. Prandaj, të gjithë ata që
e kanë dashur dhe e duan këtë vend të lirë e të pavarur plotësisht nga Serbia
dhe nga ndikimi i miqve të saj, posaçërisht anëtarët dhe votuesit e këtyre
forcave politike (PDK-LVV-AAK-NISMA), edhe strukturat e tyre, duhet të bëjnë
trysni më shumë se kurrë te “bosët” e këtyre subjekteve që të bashkohen në një
front. Të bashkohen për të mirën dhe shpëtimin e Kosovës shqiptare dhe të paqes
në rajon për të mirën, qetësinë dhe zhvillimin normal evropian të këtij
populli.
Por,
kusht për realizimin e këtij propozimi-bashkimi është “spastrimi” ose katarsisi
i këtyre subjekteve që do të bashkoheshin në një front nga ata që janë përfshirë
në korrupsion, në shpërdorim detyrash-postesh, fondesh e pasurish... E kam fjalën
te krijimi i një trupe (komisioni...) të përbashkët me pajtueshmëri të plotë për
“dekriminalizimin” e domosdoshëm dhe të pamëshirshëm të këtyre subjekteve ose të
këtij bashkimi nga cilido që me apo pa vullnetin e tij është i përfolur ose që
ka një perceptim publik se është përlyer në korrupcion, në krim ekonomik, në
pasurim të paligjshëm, në bashkëpunim me të huajt në dëm të interesave
kombëtare e shtetërore, në përvetësim a uzurpim prone, tenderi, posti publik,
etj., në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me interesat publike e shtetërore. Katarsisi
do të duhej të shtrihej edhe në institucionet shtetëroe e publike të çdo
niveli. Largimi-pensionimi i këtyre njerëzve, pa paragjykuar dhe pa kursyer
askënd, është kusht sine que non për këtë BASHKIM-FRONT ideal për Kosovën, por
gati i pamundshëm me këta krerë dhe me grupet që ata mbajnë rreth tyre. Rrugët
dhe zgjidhjet tjera do të ishin më të vështira dhe më të ngadalshme e me shumë
të panjohura për Republikën tonë të re e të lodhur sa nga të huajt, sa nga
vendorët...
*Autori është magjistër i diplomacisë, gazetar, publicist, politikan, ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës...
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire